Thethi

KULLA E NGUJIMIT

Kulla ku janë pajtuar mbi 300 gjaqe, nga i gjithë bajraku i Shalës. Kjo kullë ka mbi katër shekuj që është ndërtuar dhe është përdorur për pajtimin e dy palëve. Kur një person kryente një vrasje, kishte të drejtë të merrte pleqtë për të pleqëruar ngjarjen. Plaku luante rolin e avokatit të palës që e zgjidhte. I akuzuari  kishte të drejtë  te qëndronte brenda kullës i ngujuar për 15 ditë, ku brenda këtyre ditëve ishte kohë e mjaftueshme për të gjetur mbrojtësin e tij dhe të sqaroheshin rrethanat e kryerjes së vrasjes.  Kjo kullë nuk ishte si kullat e Mirditës, ku autorët e vrasjeve ngujoheshin per gjithë jetën, por ka qënë një kullë ku kryheshin kuvende për pajtimin e gjaqeve. Këtë vend e kanë mbajtur gjallë tri binjakëzime.

1. Kanuni i Lekë Dukagjinit që kishte ndikim në të gjithë krahinën.

2. Besa që palët i jepnin njëri tjetrit, e cila duhej të mbahej me çdo kusht.

3. Feja Katolike që kanë pasur banorët e Dukagjinit e cila ka ndikuar në bashkimin e banorëve, pasi ishin të gjithë të një feje.

Kjo kullë u ndërtua nga të parët tanë, për mbrojtjen e fshatit te Thethit dhe është një relike për krahinën. Pra kulla e Zef Kol Koçekut ruhet dhe mbrohet me respekt nga nipi i tij Sokol Koçeku, sepse është një simbol i të parëve të tij. Kjo kullë ka rreth një shekull që nuk është përdorur për kuvende, pasi kjo traditë është lënë pas dhe ruhet si relike.

Në këtë kullë në vitin 1905 ishte edhe gazetarja Angleze dhe mikja e banorëve të Thethit Edith Durham. Kjo kullë është kthyer në muze dhe guidë për turistët vendas dhe të huaj.