Thethi

HISTORIA E THETHIT DHE PREJARDHJA

Thethi, një nga fshatrat më të veçantë në Alpet Shqiptare, shtrihet në pjesën më veriore të Komunës së Shalës dhe është i vendosur në një gropë në lartësinë 740-950 metra mbi nivelin e detit, që banohet në mënyrë të përhershme.

Thethi përbëhet nga shtatë lagje, lagjia Gjeçaj, e cila ështe lagjia e parë në momentin që futesh në Theth nga Qafa e T’thores ose nëpermjet Shtegut të Dhënve, lagjia Gjelaj, lagjia Nikgjonaj, lagjia Okol, lagjia Ndreaj, lagjia Kolaj dhe lagjia Ulaj.Qendra e fshatit është e përbërë nga banorë që janë pjese e dy lagjeve, Gjeçaj dhe Gjelaj.

Pjesë e Thethit është edhe Ndërlysa që ndodhet rreth 20 minuta larg nga kanioni i Grunasit, rrugës për në Shalë. Në Ndërlysë ndodhet edhe syri i kaltër, një ndër bukuritë e rralla të veriut. Gjithashtu pjesë e thethit është dhe Rragami i Shalës që ndodhet mbi Valbonë, banorët e të cilit janë nga disa lagje te Thethit, kryesisht nga Gjelaj, Nikgjonaj dhe Aliçaj. Në lashtësi as Thethi as Shala nuk dalin në dokumente. Historia e këtyre vendeve ishte e inkuadruar me atë të fisit të Labeatëve. Në shekullin e Vlll-të, këtë zonë e përfshinte Principata e Pultit, e cila ndahej në Pultin e sipërm dhe Pultin e poshtëm. Pjeter Budi shkruan: “Vendi i Pjetër Spanit, Shala e Shoshi, pas ardhjës së turqve u bëne vatra të qendresës Shqiptare”.

Thethi për herë të parë në dokumenta del në vitin 1485, me emrin Fusha dhe kishte 7 shtepi, (sipas defterit të sanxhakut të Shkodrës i vitit 1485, vëllimi i I-re, botimi i vitit 1974, fq. 150).

Në shekullin e XVI –të, turqit e izoluan këtë zonë nga Shkodra dhe Malesia e Madhe, duke e bashkuar administrativisht me Sanxhakun e Dukagjinit me qendër në Pejë. Që nga ajo kohë kjo zonë ka marrë emrin Dukagjin.

Ka qenë Coronelli i pari që ka përmënduar Thethin në hartën e vitit 1688 dhe At Shtjefën Gjeçovi në vitin 1916 e bën të njohur botërisht. At Zef Valentini shkruan në librin “E drejta e komuniteteve në traditën Shqiptare” se Thethi në 1904 është famulli me 100 shtëpi, dhe është repart autonom, juridikisht jo aq mirë i përcaktuar, i fisit të Shalës. Bald: e quan Thethin njërin nga 5 bajraqet e fisit të Shalës. Thethi shfaqet me një autonomi të plotë dhe sigurisht që i perket fisit te Shalës, duke mos lidhur martesa me disa pjesë të saj.

Në vitin 1921 në Theth u ndërtua një shkollë nga shteti i kohës dhe në ditët e para te saj, Kryqi i Kuq Amerikan solli 3450 korona sermi ndihmë per shkollën. Në vitin 1936 vjen rruga automobilistike deri në Qendër të fshatit. Në vitin 1956 u çelën në qendër të fshatit disa qendra turistike: një godinë dhe hotele të vegjël por gjithsesi u vendos baza e turizmit malor. Në vitin 1968 filloi punë shtëpia e pushimit ku ështe edhe sot.

Për Thethin ka shkruar alpinisti i madh Georg Heinshemer, duke e krahasur me Tirolin, kurseDr. Franc Nopça ka thënë se “Po të jesh në besë në asnjë vënd tjetër të botës nuk do të jesh më i sigurtë”…

Për të studiuar gjenezën e popullsisë dhe prejardhjen e toponimit Dukagjin duhet të studiojmë dy krahina të mëdha etnografike, Malësinë dhe Dukagjinin e Vjetër, por njëkosisht duhet të studiojmë edhe dy principatat mesjetare, të cilat shtriheshin dikur në këto dy krahina etnografike, ajo e Spanëve në Malësi dhe e Dukagjinasve në Dukagjin. Në fillim do të analizojmë principatën e Dukagjinasve, sepse nga kjo krahinë e kanë prejardhjen shumica e banorëve të zonës si dhe vetë emërtimi Dukagjin që ka zona. Principata e Dukagjinasve. 

Principata e Dukagjinasve shtrihej nga pjesa veriore e luginës së Matit e deri në lumin Drin në veri, si dhe nga zona bregdetare ndërmjet grykëderdhjeve të lumenjve të Matit dhe të Drinit të Lezhës e deri në rrafshin e Dukagjinit në Kosovë. Ajo përfshinte Lezhën, Kurbinin, Pukën, Mirditën, Kukësin, Hasin, Rrafshin e Dukagjinit deri në Drenicë. 

Prejardhja e emrit të zonës

Në vitin 1281, i pari i kësaj zone, Gjin Tanushi, për merita të veçanta ushtarake që mori në shërbim të Bizantit, mori titullin “Dukë”, pra Duka Gjin, (Ducam Ginium Tanischum). Pastaj, familja e tij u bë shumë e njohur dhe filloi të quhej familja e Dukagjinasve, pra titulli i tij së bashku me emrin e tij kaluan në formën e mbiemrit të familjes dhe më vonë dhe të krahinës ku sundonin ata, pra principata e Dukagjinit.  

Përfaqësuesi më i njohur i kësaj familjeje ka qenë Lek Dukagjini (?-1481), i cili është edhe autori i kanunit të famshëm që mban edhe emrin e tij, (Kanuni i Lek Dukagjinit). Ka dhe mendime të tjera për prejardhjen e familjes dhe të emrit Dukagjin, por ky është mendimi më i besueshëm, njëkohësisht jepen edhe data të ndryshme si 1216, por e rëndësishme është se të gjitha këto data sillen rreth shekullit të 13-të.